Secondary Adv

15 bashki drejt shkrirjes: Ku përqendrohet harta e re territoriale dhe çfarë tregojnë shifrat

Reforma e re administrativo-territoriale parashikon shkrirjen e 15 nga 61 bashkitë ekzistuese, por ndryshimet nuk shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme në territor.

Analiza e Agron Haxhimalit tregon se 10 nga 15 bashkitë e propozuara për shkrirje ndodhen vetëm në katër qarqe, ndërsa madhësia e popullsisë rezulton një faktor i rëndësishëm, por jo kriteri i vetëm i përdorur.


Sipas ndarjes së popullsisë, 61 bashkitë shqiptare paraqesin një strukturë të diferencuar. Në grupin me më pak se 10.000 banorë bëjnë pjesë 15 bashki, ndërsa 33 bashki kanë një popullsi nga 10.000 deri në 50.000 banorë. Grupin me 50.000–150.000 banorë e përbëjnë 12 bashki, ndërsa Tirana qëndron e vetme në kategorinë me mbi 150.000 banorë.


Nga 15 bashkitë që propozohet të shkrihen, gjashtë i përkasin grupit me më pak se 10.000 banorë, ndërsa nëntë janë në grupin me 10.000–50.000 banorë. Kjo tregon se madhësia e popullsisë ka pasur rol në përzgjedhjen e bashkive, por nuk rezulton të jetë përdorur si një prag automatik, pasi brenda të njëjtave kategori demografike ka bashki që preken nga reforma dhe të tjera që mbeten të pandryshuara.


Si ndahen bashkitë sipas popullsisë


Në kategorinë me 0–10.000 banorë janë 15 bashki: Përmet, Dropull, Tepelenë, Pukë, Memaliaj, Pustec, Kolonjë, Selenicë, Himarë, Fushë-Arrëz, Delvinë, Këlcyrë, Konispol, Libohovë dhe Poliçan.


Në grupin me 10.000–50.000 banorë janë 33 bashki: Mirditë, Gjirokastër, Kukës, Skrapar, Devoll, Finiq, Mat, Pogradec, Klos, Roskovec, Cërrik, Belsh, Peqin, Tropojë, Maliq, Kavajë, Librazhd, Gramsh, Vau i Dejës, Divjakë, Shijak, Mallakastër, Përrenjas, Has, Kuçovë, Malësi e Madhe, Kurbin, Rrogozhinë, Sarandë, Bulqizë, Dimal, Patos dhe Vorë. Në këtë kategori ndodhen edhe dy bashki qendër qarku, Kukësi dhe Gjirokastra.


Grupi me 50.000–150.000 banorë përfshin 12 bashki: Berat, Shkodër, Korçë, Lezhë, Elbasan, Fier, Kamëz, Dibër, Lushnjë, Vlorë, Durrës dhe Krujë. Në këtë grup ndodhen nëntë bashki që janë qendra qarqesh. Në kategorinë mbi 150.000 banorë qëndron vetëm Tirana, e cila historikisht ka mbajtur vendin e parë për nga popullsia, pavarësisht ndryshimeve të mëparshme territoriale.


Elbasani dhe Gjirokastra, qarqet më të prekura


Një tjetër element që del në pah nga analiza është shpërndarja gjeografike e 15 shkrirjeve të propozuara. Reforma nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë në 12 qarqet e vendit. Elbasani dhe Gjirokastra janë qarqet më të prekura, me nga tre bashki të propozuara për shkrirje secili, ndërsa pas tyre renditen Fieri dhe Berati, me nga dy bashki.


Në qarqet Dibër, Korçë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë propozohet shkrirja e nga një bashkie. Ndërkohë, tre qarqe nuk preken fare nga propozimi: Durrësi, Kukësi dhe Lezha. Në total, reforma prek nëntë nga 12 qarqet e vendit, ndërsa në tre qarqe harta bashkiake mbetet e pandryshuar.


Përqendrimi i ndryshimeve është i konsiderueshëm. Vetëm katër qarqe, Elbasani, Gjirokastra, Fieri dhe Berati, përqendrojnë 10 nga 15 bashkitë e propozuara për shkrirje. Kjo përfaqëson rreth 67% të totalit, çka do të thotë se pothuajse dy të tretat e bashkive që synohet të riorganizohen ndodhen vetëm në këto katër qarqe.


Popullsia është faktor, por jo kriteri i vetëm


Të dhënat e publikuara nga Agron Haxhimali tregojnë se madhësia e popullsisë nuk mund të injorohet në analizën e reformës, pasi të gjitha bashkitë e propozuara për shkrirje ndodhen në dy kategoritë më të ulëta të popullsisë. Megjithatë, shpërndarja brenda këtyre kategorive tregon se popullsia nuk ka funksionuar si kriter mekanik.


Nëse do të zbatohej një prag i vetëm demografik, të gjitha bashkitë që ndodhen nën një numër të caktuar banorësh do të duhej të trajtoheshin njësoj. Të dhënat e paraqitura nuk tregojnë një skemë të tillë, duke e zhvendosur diskutimin drejt kritereve të tjera që duhet të përcaktojnë qëndrueshmërinë dhe eficiencën e një njësie vendore.


Reforma nuk duhet të kufizohet vetëm te harta


Sipas analizës, të dhënat nuk synojnë të argumentojnë se riorganizimi territorial duhet të kryhet domosdoshmërisht në çdo qark apo se një numër i caktuar bashkish është automatikisht më i mirë se një tjetër. Haxhimali e zhvendos vëmendjen edhe te funksionimi i sistemit administrativ dhe financiar vendor.


“Përtej hartës territoriale, sfida lidhet me mënyrën se si funksionon sistemi administrativ dhe financiar vendor. Një bashki mund të jetë e vogël në numër banorësh, por pyetja është nëse kjo madhësi përkthehet domosdoshmërisht në mungesë kapaciteti. Në të njëjtën kohë, një bashki më e madhe nuk garanton automatikisht administrim më efikas, financa më të qëndrueshme apo shërbime më të mira”, thekson Haxhimali në analizën e tij.


Për këtë arsye, sipas analizës, reforma nuk duhet të ndalet vetëm te ndryshimi i hartës territoriale, por duhet të shoqërohet edhe me një reformë të sistemit administrativ dhe financiar vendor.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat